Sunday, July 18, 2010

Aksidenti Rreshen-Fush Arrez


FUSHE ARREZ -Tragjedi në aksin rrugor Rrëshen-Fushë Arrëz. Një autobus i linjës Durrës-Fushë Arrëz, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në humnerë, 400- 500 metra poshtë duke shkaktuar 14 të vdekur, mes tyre 4 fëmijë dhe 12 të plagosur. Ngjarja e rëndë e cila tronditi gjithë opinionin publik ndodhi rreth orës 17:00, të së dielës 17 korrik 2010 në afërsi të fshatit Dom të rrethit të Pukës.
AKSIDENTI
Policia informoi dje se autobusi me targa PU 1330 A, që drejtohej nga 48-vjeçari Zef Gjergji, ishte duke udhëtuar nga Durrësi për në drejtim të qytetit verior. Mësohet se në afërsi të fshatit Dom të Komunës së Gjegjanit, mjeti ka dalë nga rruga në një kthesë të fortë dhe ka rënë në greminë. Pasagjerët, mes të cilëve edhe gra e fëmijë, kanë përjetuar ferrin. Gazeta Shqiptare shkruan sot duke iu referuar burimeve nga policia lokale pohojnë se disa nga viktimat kanë dalë nga dritaret e autobusit që është rrokullisur, për të përfunduar në ujërat e lumit Fan i Madh.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policore nga Shkodra, Puka dhe Tirana, forcat e RENEA-s, të FNSH-së, repartit të Zjarrfikësve, si dhe autoambulanca. Me urdhër të ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha është ngritur një shtab emergjence, ndërsa helikopterë të kësaj ministrie dhe asaj të Shëndetësisë kanë fluturuar me shpejtësi për në vendngjarje për të transportuar të mbijetuarit e tragjedisë. Ndërkohë, policia ishte angazhuar për të mbajtur hapur rrugën nacionale për në veri të vendit. Pas nxjerrjes nga gremina, të plagosurit, mes të cilëve dhe shoferi 48-vjeçar, janë dërguar me helikopter në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Disa të plagosur dhe të vdekur u transportuan në spitalin e Pukës ndërsa dy të tjetër në Shkodër.
VIKTIMAT
Policia konfirmoi zyrtarisht se viktimat janë Alma Marku, 33 vjece, Arsen Marku, 8 vjec, Paulin Gjoni, 28 vjec, Mimoza Dyzeni, 29 vjece, Adem Mustafa, 52 vjec, Marte Lleshi, 31 vjece, Marie Prenga, 60 vjeçe, Elona Mustafa, 12 vjeçe, Zef Gjergji (shoferi) 47 vjeç, Fran Paloka, 22 vjeç, Gjovalin Pera, 15 vjeç, Prengë Dyzeni, 38 vjeç, Adela Prenga, 14 vjeç, Lavdie Mustafa, 41 vjeç
TE PLAGOSURIT
Të plagosurit në Spitalin Ushtarak janë Myrsad Mustafa, 48 vjeç, Erikson Peraj, 9 vjeç, Armando Mustafa, 8 vjeç, Pjerin Kola, 43 vjeç, Dona Mustafa, 6 vjeç, Flora Peraj, 38 vjeçe, Sara Pali, 6 vjeçe, Xhesiko Pali, 7 vjeç, Gjon Marku, 40 vjeç, Artiola Prenga, 30 vjeçe. Në spitalin e Shkodrës ndodhen Gentjan Meçi, 19 vjeç, Ilir Prendi, 10 vjeç.
HETIMET
Me gjithë hetimet intensive, ende nuk është përcaktuar shkaku i aksidentit tragjik. GSH shkruan sot duke iu referuar burimeve zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Shtetit, deklarojnë se po hetohet në tre pista. Sipas policisë, drejtuesi i mjetit, Zef Gjergji ishte shofer me përvojë (kishte patentë të klasit të parë) dhe e njihte mirë zonën. Nga frenimi i gomave në vendngjarje rezultoi se mjeti nuk ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi. Nisur nga ky fakt, dyshohet që gjendja shëndetësore e Gjergjit mund të jetë bërë shkak i aksidentit. Do jetë ekspertiza mjeko-ligjore që do të hedhë dritë mbi këtë gjë. Sipas ekspertëve, nuk përjashtohet as një tërheqje vëmendjeje e shoferit, apo dhe moti i keq (dyshohet se ka pasur një shkrepje vetëtime).
DITE ZIE
Qeveria shpalli ditë zie kombëtare, ditën e sotme, në nderim të viktimave të aksidentit tragjik. "Qeveria ka marrë përsipër të gjitha shpenzimet për familjet që kanë humbur të afërmit e tyre në aksidentin tragjik të ndodhur në Fushë Arrëz". Dita e zisë do të shoqërohet me një minutë heshtje dhe me vendosjen e flamurit kombëtar në gjysmë shtize, në të gjitha institucionet shtetërore.

No comments:

Post a Comment